Interi ndalet nga Atalanta, Antonio Konte sulmon kritikët!

Fitoret nuk po vijnë, kritikat po shtohen, por Antonio Konte është si një “kundërpedal”, sa më shumë ta sulmosh, aq më agresiv bëhet. Trajneri i Interit mbrojti dhe vlerësoi ekipin e tij pas barazimit 1-1 në fushën e Atalantës, në një ndeshje që për hir të së vërtetës ishte e vështirësisë së lartë. Bergamaskët janë ndër skuadrat më të mira të Serisë A dhe e treguan edhe këtë të diel, kur u përgjigjën me gol, ndaj avantazhit të lombardëve. Lautaro Martinez kaloi Interi në epërsi në 58’, por Mirançuk barazoi 11 minuta para fundit. Berat Gjimshiti ishte në fushë për vendasit dhe mori karton të verdhë.

“Ne nuk luajtëm për të reaguar pas Madridit, – tha Konte, – sepse në Champions nuk luajtëm keq, nuk na mungoi karakteri, na mungoi vetëm rezultati. Edhe sot bëmë të njëjtën gjë ndaj një skuadre shumë të fortë, që gjithashtu nuk e pati të lehtë të luante kundër nesh. Nuk ditëm ta mbyllnim ndeshjen, na mungon instinkti i duhur për fitoret, por nga çdo aspekt tjetër djemtë luajtën shumë mirë. Kemi pasur 6 pozitivë me koronavirus, plus dëmtimet. Ata që thonë se ne nuk kemi agresivitet, duhet ta heqin shishen e verës nga tavolina. Interi brenda vetëm një viti ka bërë që të tjerët ta kenë frikë”. Zikaltërit kanë 12 pikë duke qenë në vend të 7-të në Serinë A.

Sfidanti.al