Kombëtarja humb Marash Kumbullën, dëmtimi e lë jashtë Ligës së Kombeve!

Ekipi e zhvilloi seancën e parë stërvitore, por mori një lajm jo të mirë. Trajnerit të kombëtares, Edi Reja, iu konfirmua mungesa e qendërmbrojtësit të rëndësishëm Marash Kumbulla, i cili doli me të vërtetë i dëmtuar. Futbollisti i Veronës pati lëndim që kur ndodhej në Itali me skuadrën e tij të Serisë A, ndërsa nisi përgatitjen për sezonin e ri, veçse duheshin bërë vizitat në Shqipëri. Kjo ndodhi, dhe kuqezinjtë nuk do ta kenë 20-vjeçarin për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, atë në Minsk të Bjellorusisë dhe në “Arenën Air Albania” kundër Lituanisë.

Një goditje e fortë për Rejën, që gjithsesi ka dy qendërmbrojtës të gatshëm, Berat Gjimshitin e Atalantës dhe Kastriot Dermakun e Parmës, plus edhe lojtarë të tjerë si Veselin apo Ismajlin. Kumbulla me shumë gjasë duhej të ishte titullar, pas një sezoni shumë të mirë që zhvilloi në Serinë A me Veronën, duke u quajtur një nga zbulimet më të mëdha të kampionatit, aq sa besohet që do të jetë lojtar i Interit sezonin e ardhshëm. Në kombëtare, Kumbulla nuk ka pasur shumë rast për të treguar veten pasi debutoi në ndeshjen ndaj Moldavisë fituar 4-0 në Çisinau, ndërsa më pas erdhi ndërprerja e pandemisë së koronavirusit.

Sfidanti.al