Nëse shikon listën e rrogave të klubeve në elitën e futbollit anglez kupton se çfarë gjëje të rëndësishme kanë qenë duke bërë këta vjet Liverpuli dhe trajneri Jurgen Klop. Më të paguarit në “Anfild” janë të tillë si Salah apo Van Dajk që fitojnë përkatësisht 220 000 dhe 180 000 paundë stërlina në javë. Sa pak krahasuar me 450 000 për Lukakun, 385 000 për De Brujnin, 380 000 për Grilishin apo 375 000 për De Gean. Deri edhe Arsenali që luan në Ligën e Europës i jep 350 000 paundë stërlina në javë Obamejangut. Liverpuli është më kursimtar, dhe Klopi flet kështu para nisjes së sezonit.
“Njerëzit mendojnë se nëse nuk shpenzon për të marrë lojtarë, kjo do të thotë se nuk punon, – tha gjermani, – nuk është kështu. Ne punojmë shumë dhe lajmet kanë qenë të mira me kthimin e të dëmtuarve dhe me rinovimet. Ne nuk mund të shpenzojmë para që nuk i kemi. Kur nisi pandemia shpresuam të përfundonte për pak muaj, por nuk ndodhi kështu. Çelsi, Siti apo PSG nuk varen nga këto gjëra”.
Sfidanti.al