Lufta e fjalëve është tjetër gjë, dhe ajo në fushën e lojës krejt e pangjashme. Ndoshta Zhoze Murinjo mund ta ketë fituar të parën, por Jurgen Klopi triumfoi në atë që ishte më e rëndësishme, në ndeshjen e Premier Ligës, Totenhem-Liverpul që përfundoi 1-3. Një paraqitje klasi e kampionëve në fuqi të Anglisë që treguan se kur janë në ditën e tyre të zakonshme mund të thyejnë çdo kundërshtar.
“Liverpuli u kthye në gjueti”, shkruajti me vrap BBC në mbulimin e saj të drejtpërdrejtë të ndeshjes në Londër, që u vendos nga golat e Roberto Firminos, Trent Aleksandër-Arnoldit dhe Sadio Manesë, ndërsa Spërsat ngushtuan përkohësisht në 1-2 me rrjetën e Hojbjergut. Të kuqtë e Klopit kanë tani 37 pikë, 3 më pak se Mançester Junajtidi i vendit të dytë, ndërsa në pozita më të mira është Mançester Siti që ka 41 pikë dhe një ndeshje më shumë për të luajtur.
Pas 5 ndeshjeve radhazi pa fitore, Liverpuli u kujtua se në Londër ishte shansi ndoshta i fundit për të bërë kthesën në Premier Ligë, dhe e realizoi atë që pati synim. Lojë sulmuese, imponuese ndaj Totenhemit, me më shumë qarkullim topi dhe këmbëngulje, si dhe me më shumë raste. Edhe pse zotërimi i topit ishte 50 me 50, të kuqtë patën 14 gjuajtje drejt portës dhe 7 në kuadrat, ndërsa ekipi i Murinjos i pati këto shifra 3 dhe 2. Tashmë, kampionët kanë 40 gola të shënuar në kampionat, më shumë se çdo ekip tjetër, ndonëse Siti ka diferencën e rrjetave më të mirë.
Sfidanti.al