Klop krenar për Liverpulin, por habitet pse golat shënohen aq vonë

Kriza e paparë prej gati një shekulli me shpresë tashmë ka kaluar. Hallet që torturuan ambientin e Liverpulit prej 3 muajsh ndoshta janë zgjidhur, e ndoshta uniteti i skuadrës është përsëri ai që siguroi Championsin në 2019 e Premier Ligën në 2020. Trajneri Jurgen Klop e di se djemtë e tij mund ta japin futbollin që prodhuan në “Emirejts” në fitoren 3-0 ndaj Arsenalit, edhe pse nuk është i sigurt nëse mund ta bëjnë me shpeshtësinë që i kërkohet një skuadre të madhe.

“Shumë mirë, – tha ai duke analizuar paraqitjen, – një ndeshje e nivelit më të lartë nga ana jonë. Bëmë kundërpresing në nivelin më të lartë, kjo është e rëndësishme. Në tërësi, mbrojtja nga gjithë ekipi ishte ajo që duhet. Jam shumë i lumtur për lojën, dhe po ashtu për tri pikët. Përveç të dëmtuarve për një kohë të gjatë, të tjerët janë shumë në formë. Edhe Okslejd-Çembërleni, edhe Keita, Shaqiri, të gjithë shumë mirë. Gjithsesi, ne kemi kohë që shënojmë vonë. Ndoshta ka një vit që nuk i zgjidhim ndeshjet shpejt

Të dëmtuarit afatgjatë janë Van Dajk, Gomez, Matip, por edhe Henderson, lojtarë shumë të rëndësishëm që prishin punë dhe nuk dihet nëse të kuqtë do të kenë potencialin për ta mbyllur sezonin në këtë nivel. Jo më kot që nga 3 janari deri në 7 mars, Liverpuli fitoi vetëm 3 nga 12 ndeshjet në Premier, vetëm 10 pikë nga 36 të mundshme. Kjo bëri dëm të madh, dhe shpresohet kualifikimi për në Champions.

Liverpuli: Alison, Aleksandër-Arnold, Filips, Kabak (R. Uilliams 84’), Robertson (Zhota 61’), Tiago Alkantara, Fabinjo, Milner, Salah, Firmino (Vajnaldum 78’), Mane. (Adrian, Keita, Okslejd-Çembërlen, Xhons, Cimikas, Shaqiri). Tr. Klop

Sfidanti.al