Harri Kejn ishte ndoshta lojtari më i kritikuar në Premier Ligë, ndoshta duke përjashtuar kapitenin e Mançester Junajtidit, Harri Megajer. Gjithsesi, kapiteni i Anglisë tregoi se çfarë statusi ka në futbollin e sotëm duke ndihmuar Totenhemin që të triumfonte në fushën e Mançester Sitit. Ky sukses 3-2, jo vetëm që i dha më shumë shpresë Spërsave për t’u kualifikuar në Champions sezonin e ardhshëm, por sidomos e bëri shumë më interesante garën për titull. Liverpuli është 6 pikë prapa kreut që mbahet pikërisht nga Siti, por me një ndeshje më shumë për të luajtur.
Jurgen Klop, trajneri i të kuqve, tha disa javë më parë se “e vetmja arsye që më bën të besoj se mund të fitojmë kampionatin është se ky është një sezon i çmendur”. Kjo çmenduri po tregohet hapur ndërsa Liverpuli ka shans të jetë nga -9 në vetëm -3 pikë. Në “Etihad” u luajt një ndeshje shumë e bukur, dhe Totenhemi nuk u duk aspak ajo skuadër që kishte pësuar 3 humbje radhazi. Dejan Kulushevski e kaloi në epërsi, pastaj Gyndogan barazoi, e Harri Kejn rivendosi avantazhin e londinezëve pas pushimit. Të besuarit e Guardiolës dominuan me zotërim topi (73 për qind), dhe me goditjet nga këndi (10-0), por gjuajtjet në kuadrat ishin 5-4 për Totenhemin. Edhe pse Siti barazoi sërish me penallti kthyer në gol nga Rijad Mahrez. Harri Kejn goditi në sekondat e fundit të kohës shtesë në 95’ për 3-2. Renditja: Man. Siti 63 pikë, Liverpuli 57 (-1), Çelsi 50 (-1), Man. Junajtid 43 (-1), Arsenal 42 (-3), Uest Hem 42, Totenhem 39 (-3).
Sfidanti.al