Lebron Xhejms luajti një tjetër ndeshje të jashtëzakonshme dhe vendosi një tjetër rekord, e falë tij Klivlend Kavaliersi ia doli të eleminonte “me shpirt” ndër dhëmbë, Indiana Pejsërsin në raundin e parë të plej ofit në NBA. Lebron shënoi 45 pikë në 43 minuta në fushë, shtoi edhe shumë asistë e topa në tabela, ndërsa nënkampionët e NBA-së triumfuan 105-101 në Arenën e tyre duke e mbyllur 4-3 serinë e turit të parë.
Xhejms vazhdoi ta shtonte rekordin e tij si lojtari me më shumë pikë të shënuara në plej ofet e basketbollit amerikan, duke pasur tani 6 404 pikë, ndaj 5987 të Majkëll Xhordanit, ndonëse “Air Jordan” mban rekordin për rendimentin, me 33.4 pikë për ndeshje, ndaj 28.6 të Xhejmsit.
Lebron u bë lojtari me më shumë vjedhje topi në plej of, duke lënë në vend të dytë Skoti Pipenin (399 ndaj 395). Ai është ndër lojtarët më të mirë edhe përsa i përket topave në tabela, në vend të 7-të me 1993 (edhe pse shumë prapa Bill Rasëllit me 4 104). Po ashtu, Xhejms është në vendin e tretë të të gjitha kohëve për asistet me 1543, i lënë prapa nga dy legjenda si Mexhik Xhonson e Xhon Stokton, të cilët vështirë se mund t’i arrijë (Xhordani është në vendin e 10-të).
Tifozët e Klivlendit nuk e dinë nëse Lebroni do të mjaftojë në turin e dytë ndaj Torontos, me serinë gjysmëfinale të Lindjes që nis të mërkurën duke u gdhirë mëngjesi sipas orës së Tiranës. Në moshën 33-vjeçare, numri 23 duket i ezauruar duke luajtur mbi 40 minuta çdo ndeshje, dhe në pjesën e tretë ndaj Indianës, u desh të dilte nga fusha dhe të trajtohej për ngërçet.
Sfidanti.al