Këtë vit duket se do t’i veshë të dyja “Këpucët e Arta”. Në La Liga nuk ka rival, pasi me 32 gola është shumë përpara Kristiano Ronaldos (24) e Luis Suarezit (23). Në betejën për Këpucën e Artë të Europës, Leo sapo ka kaluar Mohamed Salahun që ka 31 rrjeta për Liverpulin në Premier Ligë.
Me tregolëshin ndaj Deportivos, Mesi u bë i vetmi lojtar në historinë e kampionatit spanjoll që shënon të paktën 30 herë në 7 sezone në karrierë. Po ashtu, është i vetmi që ka shënuar të paktën 20 gola në 10 sezone. Ai ka rekordin e golave në një edicion, me 50, rekordin e golave në shtëpi me 35, rekordin e golave jashtë fushe me 24, rekordin e golave ndaj kundërshtarëve të ndryshëm (36 të tillë).
Mesi është golshënuesi më i mirë në historinë e La Ligës me 381 rrjeta në 415 ndeshje, duke lënë në vend të dytë Ronaldon që ka 309 gola në 290 ndeshje. Mesatarja më e mirë e CR7-ës ka të bëjë me faktin se ai erdhi në Spanjë në moshën 24-vjeçare, ndërsa Mesi nisi të luante që kur ishte 16 apo 17 vjeç.
Leo nuk ka rekordet vetëm për golat, por edhe për asistet, pasi është numri 1 në histori me 149 të tillë, duke lënë prapa legjendën e Realit, Miçell. Edhe këtë sezon, ai është lider në këtë statistikë me 12, ndaj vetëm 5 të Ronaldos.
Sfidanti.al