Kështu fitohet një titull, Barça përmbysi edhe aty ku nuk mundej!

Stadiumi “Anoeta” padyshim mund të quhet një vend i mallkuar për Lionel Mesin dhe Barcelonën. Jo se argjentinasi nuk ia kishte dalë të shënonte (pesë gola bashkë me atë të fundit), por në 7 sezonet e kaluara, katalanasit nuk kishin marrë dot asnjë fitore, madje kishin humbur pesë herë ndaj vendasve të Real Sociedadit.

E gjitha kjo deri në këtë ndeshjen e fundit ku, krejt papritmas shifrat në fund ishin 4-2 për miqtë. “Kështu fitohet një kampionat”, ishte titulli i gazetës “Marka”, një vlerësim për “azulgranët”, por edhe një “bjeri derës, që ta dëgjojë penxherja”, pra ta kuptojë Reali se çfarë duhet të bëjë.

Ishte ndeshja më e vështirë e sezonit deri tani për Barcelonën, por përfundoi si më fatlumja. Në qytetin bask të San Sebastianit, vendasit kryesuan deri 2-0, me rrjeta të Uilliam Zhozes dhe Huanmit, madje duke iu anuluar pa të drejtë një gol kur rezultati ishte 1-0. Për fatin e tyre të keq, vendasit patën përballë jo edhe aq një Mesi të jashtëzakonshëm (edhe pse ishte shumë lart), por një Luis Suarez të frymëzuar.

Uruguajani shënoi dy herë, edhe pse kthesën i pari e nisi Paulinjo. Gjithsesi, braziliani shkurtoi për 1-2 falë asistit perfekt të numrit 9, i cili në pjesën e dytë vazhdoi kryeveprën duke shënuar më herët me një parabël mbi portierin (asist i Mesit), dhe pastaj me topin e marrë nga qendërmbrojtësi Vermelen. Në fund, në 85’, Mesi la shenjën e tij nga goditja e dënimit, ndonëse portieri i Sociedadit, Ruji, mund të kishte bërë më shumë.

Me këtë sukses, Barça ruajti distancën 9-pikëshe nga Atletiko e Madridit, me 51 pikë ndaj 42, pikërisht në fund të fazës së parë, me plot 19 pikë mbi Realin, edhe pse ekipi i Zidanit ka edhe një ndeshje për të luajtur. Katalanasit kanë shënuar 52 gola ndaj vetëm 32 të madrilenëve dhe 28 të Atletikos, ndërsa janë e vetmja skuadër pa asnjë humbje në pesë ligat e mëdha të Europës.

Sfidanti.al