Rikthehet Stefën Kërri, rikthehet magjia për Golden Stejtin në Toronto

Mungoi vetëm dy ndeshje, por mezi e prisnin që të kthehej. Stefën Kërri u duk i qetë gjatë nxemjes përpara ndeshjes shumë të vështirë në Arenën e Torontos, dhe prania e tij ishte vendimtare. Basketbollisti me numrin 30 pati besim të patundur te vetja dhe shokët e tij, edhe pse luhej ndaj ekipit numër 2 në Lindje.

Golden Stejti triumfoi në fund 127-125, por përballja ishte paradoksale. Kampionët shënuan plot 81 pikë në gjysmën e parë të ndeshjes, për herë të parë në 27 vjet jashtë fushe, dhe po ashtu patën deri në 27 pikë avantazh. E gjitha kjo, thuajse shkoi kot kur Toronto reagoi pas pushimit, falë paraqitjes së shkëlqyer të DeMar DeRozanit që realizoi 42 pikë. Kanadezët luftuan fort deri në sekondat e fundit, veçse kampionët e NBA-së kishin favorin që nuk i mungonte asnjëri prej yjeve.

Kërri shënoi 24 pikë për ta duke kapur 6 topa në tabela e duke dhënë 9 pasime për kosh, kapiteni Klej Tompton realizoi 26, ndërsa Kevin Durant 25. Ata i ndihmoi edhe lojtari universal Drejmond Grin me 14 pikë, 3 topa në tabela e 8 asiste

Kjo ishte fitorja e 8-të radhazi e Golden Stejtit ndaj kanadezëve, si dhe e 12-ta radhazi jashtë fushe këtë sezon. Ky sukses bëri që kalifornianët të ruanin epërsinë mbi Hjustonin në Konferencën Perëndimore dhe të mbeten skuadra më e mirë e edicionit në të gjithë basketbollin amerikan.

Sfidanti.al