“Kërcen kacafiu” kartoni i Myrto Uzunit, Granada kërkon 18 milionë euro për të!

Nëse e tregon veten, nis të bëhesh i kërkuar. i tillë edhe Myrto Uzuni që tashmë duket se i ka vënë këmbët mirë në tokë në karrierën si futbollist profesionist. Lajmet nga Spanja janë që klubi i tij, Granada, po përpiqet të mos lejojë largimin nga ekipi të sulmuesit kuqezi, ose në rast se ndodh, kjo të bëhet kundrejt një përfitimi sa më të madh. E përditshmja e Madridit “AS” informon se Granada do të kërkojë 18 milionë euro për kartonin e tij, nëse do të ketë kërkesa nga klube të La Ligës, ndërsa nëse të interesuarit do të jenë në Ligën e dytë, vlera zbret në 12 milionë. Uzuni është shënuesi më i mirë i Ligës së Dytë me 11 gola, duke ndihmuar Granadën të jetë në vend të 6-të mes 22 ekipeve, dhe të pretendojë ngjitjen në elitë.

Në moshën 27-vjeçare, ai po arrin kulmin e pjekurisë sportive, diçka që duket qartë në nivelin e paraqitjeve të tij. Futbollisti me origjinë nga Berati vlerësohet si më produktivi i ekipit të tij këta muaj kampionati me koeficientin 6.63 nga program i specializuar Oloçip. Kjo do të thotë se ai është më i miri i Granadës, dhe njëri nga më të vlerësuarit në gjithë kampionatin. Sulmuesi mund të cilësohet një gjahtar tipik i zonës pasi aty ka realizuar 9 nga 11 rrjetat e tij. Po ashtu, vlerësohet fakti se shqiptari ka pasur në dispozicion vetëm 2 penallti, ndërsa golat e tjerë kanë ardhur nga loja.

Sfidanti.al