Dy ditë më parë ishte Luka Donçiç që arriti deri në 50, në nivelin më të lartë të sezonit. Superylli nga Sllovenia e ka arritur sërish formën e tij të zakonshme, dhe gjithashtu ishte protagonist në një mbrëmje të paharrueshme. Basketbolli amerikan dha një rekord pikërisht Natën e Krishtlindjeve me 10 lojtarë që shënuan nga 30 ose më shumë pikë. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur kështu. Vetë Donçiç ishte pjesë e këtij rekordi duke shënuar 32 pikë për Dallasin në duelin luksoz ndaj Los Anxhelos Lejkërsave. Lebron Xhejmsi, i zoti i shtëpisë, ishte më i miri si shënues duke realizuar 38 pikë, por kjo nuk u vlejti kalifornianëve që e shohn veten në vendet e fundit të Konferencës. Xhejzën Tatëm, lideri i Bostonit, shpërtheu me 41 pikë në fitoren e madhe që Sëlltiksat arritën ndaj rivalit kryesor në Konferencën Lindore, Miluokit. Tatëm fitoi duelin me gjigandin Janis Adetokumbo duke qenë shënuesi më i mirë i mbrëmjes, ndërsa ekipi i tij pati një sukses bindës.
Po 41 pikë edhe ylli i Denverit, Nikola Jokiç, që shtoi edhe, 15 topa në tabela e 15 asistë në fitoren e vështirë ndaj një rivali të madh në Perëndim, Feniksit. Xha Morant i Memfisit u dallua fort me 36 pikë, por nuk e shmangu dot humbjen e skuadrës së tij në fushën e kampiones Golden Stejt, me shifrat 109-123. Tek fituesit mungoi më i miri, Stefën Kërri, por u zëvendësua denjësisht nga Xhordan Pul që realizoi 32 pikë. Zhoel Embijd, një nga kandidatët kryesorë për çmimin lojtari i sezonit bashkë me Donçiçin, Jokiçin apo Adetokumbon, pati 35 pikë në fitoren e Filadelfias në “Medison Skuer Garden” ndaj Nju Jorkut vendas. Xhulius Randëll shkëlqeu për Nju Jorkun me 35 pikë, por doli nga parketi i mundur. Rekordi i Krishtlindjeve në NBA u plotësua me 31 pikë të realizuara nga Landri Shamet i Feniksit dhe 30 pikët e Kristian Udit të Dallasit. Denveri kryeson në Perëndim dhe Bostoni në Lindje.
Sfidanti.al