Katër fitore radhazi Lacio, Inzagi pret Lotiton për kontratën!

Festën më të madhe ndër shqiptarët e pati Igli Tare në tribunën kryesore, ndërsa kënaqësinë ndoshta më të madhe po e ndjen trajneri në stol. Lacio arriti fitoren e katërt radhazi dhe Simone Inzagi po i tregon vetes, tifozëve dhe sidomos presidentit Klaudio Lotito se është po ai trajner që ngjiti në piedestal ekipin kryeqytetas.

Suksesi në Serinë A ndaj Sasuolos ishte 2-1, aspak i keq përballë një kundërshtari kaq të respektuar dhe që di të luajë kaq mirë futboll, pavarësisht emrit modest. Kaputo kaloi miqtë në epërsi, por Milinkoviç-Saviç (25’) dhe Çiro Imobile (71’) përmbysën shifrat. Tomas Strakosha sërish nuk ishte për të luajtur për vendasit në “Olimpiko”, ndërsa Vedat Muriqi pati në dispozicion vetëm pak minuta duke hyrë në fushë në 86’ në vend të Imobiles.

Inzagi u ngacmua për kontratën dhe e pati përgjigjen gati. “Presidenti më ka thënë se rinovimi është përgatitur, – tha ai, – kam folur me Lotiton, dhe kam besim, ndonëse nuk di të them se kur do të ndodhë e çfarë do të ndodhë. Sa për skuadrën, jam krenar sepse kemi qenë tepër të ngarkuar, ndeshjen e kaluar e luajtëm para 48 orësh. Tani kemi dy sfida me Atalantën, besoj se do të jemi sërish mirë”. Lacio është në vendin e 7-të në Serinë A me 34 pikë, aspak larg zonës Champions.

Sfidanti.al