Largimi i Dedes nga Tirana, çfarë debati me presidentin “mbushi kupën” për trajnerin?!

Mund të quhet padyshim rrufe në qiell të pastër. Jo se Tirana po shkëlqente, por largimi i trajnerit Nevil Dede pak minuta para ndeshjes së Superligës ndaj Laçit nuk pritej aspak. Tekniku iku pa filluar ende sfida në “Selman Stërmasi”, ndërsa ata që ishin të pranishëm treguan se pati debat me presidentin Refik Halili për formacionin. Me të vërtetë, në formacion pati ndryshim sepse ishte parashikuar Kuka, dhe më pas u fut Danso.

As Dede dhe as Halili nuk deklaruan arsyet e kësaj braktisjeje të ndeshjes, ndërsa nuk iu përgjigjën kërkesës së ABC-së për të konfirmuar nëse largimi i trajnerit është përfundimtar apo jo. Gjithsesi, duket e vështirë që pas një ikjeje të tillë kaq demonstrative të ketë kthim prapa.

Tifozët shpërthyen me komente në faqen zyrtare të klubit në FB, duke akuzuar se trajneri u largua sepse nuk futi në formacion djalin e presidentit. Kritikat ishin sesi mund të bëhen gjërat kaq hapur, ndërsa pati edhe batuta si “Nevilin e lanë në stol për vete”. Ndeshjen ndaj Laçit e drejtoi në stol drejtori sportiv, Tefik Osmani, ndërsa pritet të shihet sesi do të veprojë Tirana me stolin.

Dede erdhi në drejtimin e Tiranës në javën e katërt të kampionatit, pas shkarkimit të ish-trajnerit Emanuel Egbo, dhe e nisi aventurën me ndeshjen e Superligës ndaj Vllaznisë në Shkodër humbur 2-3.  Gjithsej, ai arriti 3 fitore, 8 barazime dhe 2 humbje, përfshi edhe atë në derbin me Partizanin të enjten e kaluar. Pas 16 javësh, Tirana është në mesin e tabelës dhe mjaft larg Vllaznisë kryesuese. Sezonin e kaluar, kryeqytetasit e drejtuar nga Egbo fituan titullin, për herë të parë pas 11 vjetësh, duke festuar siç duhet 120 vjetorin e themelimit.

Sfidanti.al