Katari dhe Koreja e Veriut; Infantino, njeriu në anën tjetër të barrikadës!

Perëndimi ndoshta po e kupton se po e humbet betejën për të dominuar botën, ashtu siç po e humbet edhe atë për të dominuar FIFA-n. Të gjitha akuzat për “tmerret” e Katarit (që nuk janë më pak sesa tmerret e emigrantëve që vdesin në Mesdhe e në La Mansh, apo të atyre që u shuan nga Kovidi në Europë sepse nuk kishin të njëjtin trajtim mjekësor si “autoktonët”), thjesht pasqyrojnë zhgënjimin dhe zemërimin sesi mundet që FIFA, edhe pas largimit pa lavdi të Zep Blaterit, vazhdon të anojë nga vendet e “Botës së Tretë”. Xhani Infantino, presidenti i sotëm i futbollit botëror, e kupton më mirë sesa shumë analistë “të shëndoshë” perëndimorë, se ai është zgjedhur aty jo nga “klubi G7” apo “G20”, por nga votat e mbi 200 anëtarëve të FIFA-s, shumica e të cilëve i përket vendeve të “Botës së Tretë”.

Infantino shkoi shumë larg në tërbimin që i bëri mediave britanike, holandeze, franceze apo amerikane, kur tha se “Perëndimi duhet të kërkojë falje për atë që ka bërë për 3 000 vjet”, ndoshta duke e tepruar pak sepse gjëra të tilla si Perëndimi mund t’i bëjë gjithkush. Sidoqoftë, zvicerani shtoi edhe diçka tjetër që ishte si “kripë në plagë” për ndjenjat e supremacistëve në Perëndim. “Unë do të isha dakord që Koreja e Veriut të organizonte një botëror, – tha ai, – sepse vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ne mund të ndryshojmë gjërat”. Ne shqiptarët, që kemi jetuar në kohën e Enver Hoxhës, e kuptojmë shumë mirë këtë gjë, pasi edhe në atë kohë ne do të ishim dakord “me të dyja duart” që një turne i madh apo një finale e madhe të mbahej në Shqipëri.

Sfidanti.al