KAS dhe Siti: Guardiola, Klopi e Murinjo, trajnerët në cirkun e interesit!

Është një serial amerikan që quhet “Seksi dhe qyteti” (Sex & The City), ndërsa në sportin më popullor të botës ka nisur seriali “KAS-i dhe Siti”, pasi klubi anglez fitoi apelin kundër UEFA-s për përjashtimin nga Championsi. Në këtë serial, role të dorës së parë kanë marrë trajnerët, të cilët po i bien me të madhe daulleve të interesit të klubit të gjithësecilit.

“Nuk mundet që Siti të dënohet vetën 9 milionë paundë stërlina”, u shpreh Zhoze Murinjo. “Kjo është një ditë e keqe për futbollin”, theksoi Jurgen Klopi, ndërsa Pep Guardiola përdori shprehjen e kundërt: “Kjo ishte një ditë e mirë për futbollin”. Një hulumtim elementar të bën të kuptosh se asnjëri prej trajnerëve nuk tha ndonjë gjë origjinale, por pikërisht atë që kërkohet prej tyre “në emër të unitetit”, në bazë të interesit të pronarëve, dhe për të qenë “politikisht korrekt” me tifozët.

Nëse trajnerët, që janë mjaft të respektuar, nuk do të kishin folur, por do t’ia kishin lënë këtë fushëbetejë drejtuesve apo juristëve të klubeve, atëherë ata nuk do të kishin humbur pikë. Për të thënë mendimin tënd origjinal duhet guxim për të sakrifikuar, siç bënte Zdenek Zeman kur sulmonte “superfuqinë” Juventus. Klopi, Murinjo e Guardiola nuk e fituan këtë respekt. Siç titullon Migjeni, ata parapëlqyen më mirë “derrin e kënaqur” sesa “Sokratin e vuejtun”!

Sfidanti.al