Kantona i ra pikës, pushteti i më të pasurve e vret demokracinë!

Ka qenë një lider në fushë, një nga ata njerëz që mund të veçohej nga të tjerët dhe që ndihmoi radhazi Lids Junajtidin e Mançester Junajtidin që të bëheshin kampionë të Anglisë. Gjithsesi, Erik Kantona, nuk i ka harruar rrënjët e veta dhe mbetet një njeri i thjeshtë i popullit, që ka mendime politike, shoqërore, një qenie e pavarur njerëzore, pra njeri me formim e karakter, krejt ndryshe deri edhe nga të tillë si Mesi apo Ronaldo.

Legjenda franceze e vuri gishtin siç duhet në plagën e futbollit europian, dhe më gjerë atij botëror, duke theksuar se çfarë po shkelet me Superligën. “Klubet që po krijojnë Superligën a mos vallë u kanë kërkuar mendimin tifozëve të tyre? – pyeti ai, – jo, nuk e kanë bërë. Ky është një turp”. Kantona nuk shkon më tej sesa moralizimi, ndonëse është njeriu i ndjeshëm popullor, ndërsa logjika është se pushteti i më të pasurve, pra më të fuqishmëve, mund të shkelë demokracinë, pra mendimin e tifozëve të thjeshtë? Cila është zgjidhja? Një model pak a shumë gjerman ku tifozët të jenë aksionerët e klubeve! Vetëm atëherë mundet që oligarkët të ndalohen që të bëjnë çfarë të duan!

Sfidanti.al