Atmosfera është e qetë dhe për fat në këtë ekip rrallë ka pasur presion. Partizani është i kënaqur që drejtuesit nuk i kanë kërkuar kualifikim me patjetër në Ligën e Konferencës, por gjithsesi skuadra shkon në Gjeorgji për rezultat. Pas përfundimit të përgatitjeve në Slloveni dhe Shqipëri, të kuqtë udhëtuan sot në mëngjes drejt shtetit në Kaukaze ku do të ndeshet me ekipin vendas, Saburtalo. Trajneri Dritan Mehmeti është i shqetësuar me ndryshimet e mëdha në përbërje pasi janë larguar futbollistë të rëndësishëm si Mala apo Stenjo Zhunior.
Një pjesë e lojtarëve të afruar nuk janë gati, ndërsa formacioni është krejt tjetër në krahasim me vjet. Portieri dhe kapiteni Alban Hoxha nuk luan për shkak dëmtimi, dhe në vend të tij do të jetë Teqja. Në mbrojtje kthehet Bitri, ndërsa në mesfushë aktivizohet afrikani Matondo edhe pse e humbi pjesën më të madhe të fazës përgatitore në Slloveni. Për fat, sulmuesi kryesor Skuka duket se është mirë pas problemeve në shpatull dhe pritet titullar. Partizani luan nesër në orën 18:00 dhe synimi është të paktën barazimi.
Formacioni i mundshëm (4-3-1-2): Teqja Hadroj Bitri Belica Atanaskoski Murataj Matondo Rrapaj Hoti Skuka Cara.
Sfidanti.al