Ka festë golash në Serinë A, por jo për Interin!

Nëse në Serinë A pati një festë goli, tek Interi golat shkaktuan vetëm dhimbje. Edhe tek zikaltërit pati një festë, veçse për kundërshtarin e radhës, Krotonen. A mund të besohet që një “korracatë” që pretendonte titullin në fillim të sezonit, mund të thyhet në fushën e një ekipi që lufton për të mos rënë nga kategoria (dhe që mund të mos shpëtojë)? Ja pra që ndodh, dhe tifozët interistë janë hedhur në sulm në rrjetet sociale, nga një zemërim që shtohet nga java në javë.
“Nuk mund të pësosh dy gola në 4 minuta nga Falçineli”, shkruajnë ata, ndërsa kapiteni Ikardi me shokë duhet të bëjnë planet për të luajtur vetëm në Serinë A sezonin e ardhshëm. Interi u mund 1-2 dhe nuk i bëri punë goli i D’Ambrozios, ndërsa u parakalua edhe nga Milani, duke zbritur në vendin e 7-të.
Formacioni i Montelës luajti një ndeshje mjaft të mirë në “San Siro”, duke mundur 4-0 Palermon. Suso, Pashaliç, Baka dhe Deulofeu (sërish) shënuan golat, tre prej të cilëve në pjesën e parë. Sukses i fortë edhe për Romën që ia doli 3-0 në Bolonjë. Facio, Salah dhe Xheko ishin autorët e rrjetave dhe kryeqytetasit e mbajtën hapin e Juventusit, duke pasur sërish -6 pikë nga kryesuesit, 71 ndaj 77 të juventinëve. Torino iu bashkua edhe ajo festivalit të golave, duke fituar 3-2 në fushën e Kaljarit, dhe ku nuk mund të mungonte rrjeta e Belotit.
Renditja: Juventus 77, Roma 71, Napoli 64 (-1), Lacio 60 (-1), Atalanta 59, Milan 57, Inter 55.

Sfidanti.al