Zllatan Ibrahimoviçi ende nuk e ka vendosur, nëse do të vazhdojë të qëndrojë te Mançester Junajtidi, pas përfundimit të kontratës njëvjeçare në fund të këtij sezoni, apo të largohet për diku gjetkë, në kërkim të sfidave të reja. Ka spekulime rreth një transferimi të tij eventual për në SHBA, konkretisht, për tek ekipi LA Galaksi. Thuhet se shpërngulja për në SHBA dhe, madje, edhe për në Hollivud po qarkullon në mendjen e tij. Jo aq shumë për hir të futbollit, por edhe për shkak të dëshirës së tij të kahershme për të luajtur në ndonjë film dhe, kështu, ndoshta, ai do të shfaqet edhe në ekranin e filmit në rolin e Xhejms Bondit!
Për futbollin botëror, kjo gjë do të mund të përbente befasi, por, për një figurë si Ibrahimoviçi, do të ishte një diçka normale përfundimi i tij në Hollivud. Këtë ide, ky futbollist suedezo-boshnjak e zbuloi në një intervistë të fundit që ai dha në kanalin sportiv, BT Sport, ku, midis të tjerave, biseda përfshiu edhe emrin e legjendës së Mançester Junajtidit, francezit Erik Kantona. “Eriku është Erik, kurse Zllatani është Zllatan. Njerëzit do ta mbajnë atë për atë që ka bërë, ashtu si edhe mua, për atë që kam bërë. E vetmja gjë që unë nuk e kam bërë deri tani, është aktrimi, dhe unë jam disi i interesuar që të bëhem edhe aktor. Të luaj rolin e ndonjë agjenti të fshehtë, një rol si Met Demoni te filmi ‘Identiteti i Bornit’ ose që të bëhem Xhejms Bondi i ri. Përse jo?!”, tha sulmuesi i ManU-së.
sfidanti.al