Dejan Saviçeviçi – në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s

Malazezi Dejan Saviçeviç u bë përfaqësues i UEFA-s në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s. Saviçeviçi (50 vjeç), në fillim të këtij viti, paraqiti kandidaturën e tij për postin e përfaqësuesit të UEFA-s në FIFA dhe, kështu, në kongresin e fundit të “Shtëpisë së futbollit”, në Helsinki, ai arriti që të zgjidhej në këtë detyrë. Krahas Saviçeviçit legjendar që, në kohën e tij, ka qenë një nga futbollistët më të mirë të Evropës, besimin e FIFA-s e fituan edhe hungarezi Shandor Ciani dhe qiprioti Kostakis Kutsokumnis. Dejan Saviçeviç, ish-lojtar i Milanit, gjatë mandatit të tij, do të ketë si detyrë që të përfaqësojë UEFA-n dhe interesat e saj në organin më të lartë të FIFA-s që ka si detyrë që të përcaktojë misionin, drejtimin strategjik dhe politikën e saj, duke e vënë theksin e veçantë tek organizimi dhe zhvillimi i futbollit në të gjithë nivelet në botë.

sfidanti.al