Para dy vjetësh e larguan si një dinosaur, si një njeri i përkiste futbollit të së shkuarës. “Zonja e Vjetër” Juventus ishte mërzitur deri në fyt me futbollin pragmatik të Masimiliano Alegrit dhe dëshironte diçka si Barcelona, Reali, Mançester Siti apo Liverpuli, ose që të paktën të ishte një markë e futbollit botëror si Milani i Sakit dhe Ançelotit. Për këtë arsye, “Maksi” pengonte dhe duhej një idhtar i sistemit sulmues, që u gjet tek Mauricio Sarri. Pas keqkuptimeve dhe eleminimit nga Championsi, pas pakënaqësisë së Kristiano Ronaldos dhe etiketës si “trajner jo i prerë për Juventusin”, Sarri u shkarkua dhe u mor me shumë bujë e emocion, Andrea Pirlo.
Ky duhej të ishte “njeriu i stilit Juve”, elegant, i edukuar, i niveleve të elitës së futbollit, jo i “turmës” së Sarri. Gjithsesi, Pirlo dështoi duke humbur titullin për herë të parë pas 9 vjetësh, dhe Andrea Anjeli e Pavel Nedved u kthyen tek Alegri. Njeriu i së shkuarës u kthye në njeriun e të tashmes, ndonëse nuk dihet nëse do të ketë forcën për të bërë ndryshimet dhe për të nisur një tjetër cikël fitues. U deshën shumë vite që të bëhej kjo gjë pas Trapatonit, e pas Lipit e Kapelos. “Mirëse u ktheve Maks”, shkruan Juventusi në deklaratën zyrtare, ndërsa legjendat e vjetra tashmë kanë një hije të gjatë që mund të pengojnë të rinjtë.
Sfidanti.al