Si lojtar e ka fituar dy herë këtë trofe të madh, ndërsa si trajner e arriti fitoren e parë, madje në ndeshjen e parë. Andrea Pirlo ka qenë një yll i madh futbolli në Champions, dhe askush nuk e harron në ditët e tij tek Milani, ndërsa në rolin e teknikut duhet të tregojë veten. Në Kiev, ndaj Dinamos vendase, ia doli 2-0, ndërsa ndeshja u duk e vërtetë futbolli sepse kishte publik në stadiumin “Republikan” edhe pse jo në maksimum të kapacitetit.
Alvaro Morata ishte këtë herë në rolin e Kristiano Ronaldos, dhe duket qartë se sulmuesi spanjoll ndihet shumë mirë në Torino, ndryshe nga vuajtjet që pati tek Çelsi apo edhe tek Atletiko e Madridit. Sa herë që Morata luan për Juven, aq herë bind, duke shënuar golat në minutat 46 e 84’, pra pas pushimit. Paulo Dibala mori një kënaqëi përgjysmë, por gjithsesi ishte një nxitje. Argjentinasi u aktivizua në minutën e 56-të në vend të sulmuesit të ri, Dejan Kulushevski, ndërsa konkurrenca për një vend në repartin ofensiv do të jetë e fortë. Një notë negative e mbrëmjes ukrainase ishte dëmtimi i kapitenit Xhorxho Kielini, dhe kjo sjell shqetësim për Pirlon sepse edhe De Ligt është në infermieri.
Sfidanti.al