Sulmuesi shqiptar mbeti në Hungari dhe është e qartë se ka probleme me koronavirusin, ndërsa skuadra e tij nuk e përballoi dot provën e rëndë që pati mbi supe në rikthimin në Champions pas 25 vjetësh. Ferencvaroshi u mund 1-5 në “Kamp Nou”, ku nuk ishte lajm që Mesi shënoi (me penallti), por që Dembele shkëlqeu, dhe u konfirmuan Ansu Fati, Kutinjo e Pedri. Trajneri Ronald Kuman u shpreh i lumtur në mënyrë të kujdesshme. “Ne duhet të luajmë gjithnjë kështu, – tha holandezi, – në të ardhmen na presin ndeshje më të vështira”. E ardhmja është shumë shpejt, këtë fundjavë kur do të luhet El Klasiko ndaj Realit të Madridit. Në këtë kuptim, suksesi ndaj Ferencvaroshit ishte i rëndësishëm për moralin, por jo edhe aq për formacionin pasi Gerard Pike doli me karton të kuq. Kjo do të thotë se ai nuk do të jetë në fushë ndaj Juventusit në Torino, në ndeshjen e dytë të Championsit. Mesi ndërkaq barazoi rekordin e Rajan Gigsit duke shënuar për të 16-in sezon radhazi në Champions. Uellsiani i Junajtidit e pati bërë në 1996-2012, ndërsa argjentinasi ka rekordin e vetmuar sepse i ka shënuar 36 ekipeve të ndryshëm.
Sfidanti.al