Me rikthimin e trajnerit “dinosaur”, klubi fisnik i Torinos kapitulloi në betejën e tij gjigande për t’u bërë një “brand” botëror, që të pëlqehej nga tifozët, sidomos të rinjtë, në të gjithë botën. Modeli spanjoll apo anglez, modeli “Bajern” apo modeli i sportit amerikan nuk lëshoi rrënjë në kryeqendrën e Piemontit ndaj edhe Juventusi, pas eksperimenteve me Sarrin dhe Pirlon, u kthye tek “Plaku Mere”, Masimiliano Alegri.
Pas konfuzionit të sezonit të parë, dhe pas eliminimit të rëndë nga Championsi pak ditë më parë, gjithsei Alegri po tregon se nuk është aq i plakur dhe aq i lodhur sa duket, ndonëse nuk ka lëvizur asnjë “centimetër” nga filozofia e tij. “Bukuria e fitores vlen më shumë sesa bukuria e lojës”, kjo motoja “alegriane”, dhe kjo u duk qartë në suksesin 3-0 ndaj Lacios në Serinë A, që ishte e gjashta radhazi dhe që e ngjiti “Zonjën e Vjetër” në vendin e tretë, menjëherë pas Napolit e Milanit. Moise Kean shënoi në 43’, pastaj në 54’ dhe Milik “rrumbullakosi” shifrat në 89’.
Ky është rezultati, ndërsa statistikat janë 59 për qind të mbajtjes së topit nga Lacio, kornet 6-2 për Lacion, ndërsa gjuajtjet ishin vërtet në favor të Juves, por jo kaq shumë: 9-6 drejt portës, dhe 7-4 në kuadrat. Veçse shifrat ishin 3-0! Kush bëri lojën, kush arriti fitoren? Ky është pragmatizmi i Alegrit, që do të kishte gëzuar një Trapatoni apo një Murinjo (pa përmendur Herrerën). Tashmë, Juvja e Alegrit është kthyer, edhe pse jo modeli për t’u bërë “markë botërore”.
Sfidanti.al