Bukuria më e parë ishte publiku në stadium. U luajt me tifozë finalja e Kupës së Italisë në stadiumin “Mapei” të Rexho Emilias, dhe fitorja i takoi ndoshta skuadrës që e deshi më shumë. Triumfoi Juventusi i trajnerit shumë të kritikuar, Andrea Pirlo, dhe me gola të shënuar nga dy lojtarë që janë marrë për të ardhmen, Dejan Kulushevski e Federiko Kieza. Nuk ia doli Atalanta, “Hirushja” e futbollit italian dhe atij europian të paktën 3 sezonet e fundit, që e arriti suksesin e saj duke siguruar sërish kualifikimin për në Champions.
Me Juventusin që rrezikon të mbetet jashtë elitës së Europës, për “Zonjën e Vjetër” zgjidhja e vetme ishte që të fitonte të paktën një trofe. Ia doli me kupën, edhe pse Kristiano Ronaldo sërish nuk arriti të shënonte. Ish-kampionët ishin vazhdimisht në epërsi, fillimisht në 31’ me Kulushevskin, dhe arritën të reagonin kur bergamaskët barazuan falë rrjetës së shënuar nga Ruslan Malinovski. U desh të pritej gati deri çerek ore para fundit kur Federiko Kieza të shënonte pikërisht përpara sesa të zëvendësohej.
Trajneri Gasperini e kishte mbajtur këtë herë në stol mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, duke e hedhur në fushë vetëm në 12 minutat e fundit, por pa dobi. Atalanta humbi finalen e dytë të Kupës së Italisë, pas asaj me Lacion, ndërsa Juventusi fitoi trofeun e 14-të në histori, një rekord dhe me diferencë të madhe nga Roma që është e dyta me 9 tituj.
Sfidanti.al