Juventusi fiton derbin dhe Vlahoviç premton se nuk do të ketë dorëzim

E vërteta është që luftën deri në fund e ka diçka gjenetike dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe. Pa kaluar në mburrje dhe rrahje gjoksi, Juventusi ka qenë gjithmonë skuadra për t’u mundur në Itali, pra edhe e ka cilësuar të natyrshme që të konkurrojë për titullin kampion edhe kur është dukur e pamundur. Prandaj edhe kanë peshë fjalët e Dushan Vlahoviçit pas fitores minimale të “Zonjës” në derbin me Torinon. Ishte pikërisht sulmuesi serb që shënoi golin e vetëm të sfidës në stadiumin e rivalit, në një përballje që ishte e fortë, edhe pse ekipi i Alegrit u duk më pranë rrjetës. “Ne nuk jemi dorëzuar dhe nuk do të dorëzohei kurrë”, – tha Vlahoviçi. “Zebrat” patën më shumë gjuajtje në kuadrat, ndonëse Torino u tregua e denjë dhe luajti si e barabartë me rekordmenët e titujve. Sidoqoftë, Juventusi ka 16 pikë në 10 ndeshje, ndaj 23 pikëve që ka Napoli në 9, dhe kjo bën që të kuptohet sesa e vështirë do të jetë, aq më tepër që në garë janë Milani, Lacio, Roma apo Interi pa harruar Atalantën.

Sfidanti.al