Dikur ka qenë ndryshe. Kur skuadrat e Kosovës vinin në Shqipëri për Kupën e Pavarësisë apo Mbarëkombëtare, e kuptonin edhe vetë diferencën e madhe, siç e pohoi trajneri i Prishtinës në 28 nëntor 2016, pas finales së humbur ndaj Kukësit, kur tha se “nuk mund të përballemi me gjoks me Amerikën”. Jo vetëm kaq, por ndryshimi ishte kolosal edhe në kupat e Europës, ku klubet shqiptare kishin përvojë dhe arritën dy herë kulme me Skënderbeun në 2015 e 2017 në grupet e Ligës së Europës, për të mos folur për trimëritë e Flamurtarit në vitet 80-të. Gjithsesi, këto kohë tashmë janë thjesht histori e shkuar, pasi realiteti është përmbysur.
Pasi Ballkani arriti fazën e grupeve të Ligës së Konferencës këtë vjeshtë, klubet e Kosovës janë në ngjitje të fortë, ndërsa ata të Shqipërisë në rënie të lirë. E tregon renditja e UEFA-s për federatat përkatëse pas pjesëmarrjes së 5 viteve të fundit në konkurrimet europiane. Kosova ka mbërritur në vendin e 33-të, duke lënë pas edhe Finlandën apo Irlandën me koeficientin 11.250. Shqipëria është rrëzuar keqaz duke u gjendur tashmë në vendin e 49-të nga 55 federata gjithsej, pra duke lënë prapa vetëm 6 prej tyre, mes të cilave Gjibraltarin, Andorrën dhe San Marinon.
Edhe kur vjen puna tek fitimet distanca është gati trefish. Pas kualifikimit të Ballkanit, klubet e Kosovës kanë marrë rreth 5.5 milionë euro, ndërsa ata të vendit tonë janë mjaftuar me paksa mbi 2 milionë. Nuk mund të ishte ndryshe kur vetëm Laçi kaloi një raund në Ligën e Konferencës, ndërsa Tirana, Partizani e Vllaznia u eliminuan pa lënë gjurmë.
Sfidanti.al