Juventus fitore për kualifikim, Barçës i duhet sërish mrekullia!

Në një sezon të tillë mund të fitohet gjithçka. Kur arrin të mundësh 3-0 Barcelonën e madhe, do të thotë se je në formë të shkëlqyer dhe se çdo gjë të ecën siç duhet. Kështu ishte Juventusi me suksesin tepër shprehës 3-0 që e afron praktikisht me gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Dy gola të shpejtë të Paulo Dibalës (7’ e 22’) dhe një rrjetë me të nisur pjesa e dytë (55’) nga Kielini vendosën rezultatin që më i mirë se kaq nuk mund as të ëndërrohej.

Gjithsesi, edhe tifozët më të çmendur juventinë nuk duan ta nxjerrin nga goja para kohe fjalën “kualifikim”, edhe pse e kanë në majë të gjuhës. Përballë është (ende) Barcelona, ajo skuadër që ka dominuar futbollin europian prej 12 vjetësh dhe që raundin e kaluar përmbysi një disfatë edhe më të rëndë, 0-4, pësuar në fushën e Paris SG. Natyrisht, Juventusi ka më shumë përvojë sesa kampionia e Francës, ka në përbërje edhe yje të vërtetë, dhe shpreson që gjyqtari në “Kamp Nou” të mos e bëjë aq “baltë” sa atë mbrëmje ndaj parizienëve.

Kualifikimi, megjithatë, mbetet ende i hapur sepse Mesi, Nejmar apo Suarez kanë në dispozicion edhe 90 minuta dhe sepse në stadiumin “Juventus” të Torinos, katalanasit nuk është se nuk luftuan. Në të kundërt, ishin ata që bënë lojën, duke mbajtur topin 66 për qind, duke gjuajtur drejt portës e duke pasur më shumë goditje nga këndi. Juventusi fitoi falë kundërsulmit dhe shpejtësisë, duke triumfuar vërtet 3-0, por duke mos u treguar plotësisht skuadër e madhe, si Milani i Sakit, Barcelona e Guardiolës, Bajerni apo Reali, apo edhe vetë Juventusi i Lipit në 1996.

Sfidanti.al

mesi juventus barca