Juve merr një fitore me vlerë Championsi në fushën e Romës

Të tilla kanë qenë shpesh këto ndeshje, dhe skuadra më shumë e mësuar për t’ia dalë e bëri edhe këtë herë. Pavarësisht se Juventusi quhej në krizë pas barazimit me Napolin dhe debateve të brendshme, sërish të gjitha këto u përballuan me fitoren 4-3 në “Olimpiko” ndaj Romës së Murinjos. Në një betejë të çmendur, jo edhe aq tipike për Serinë A tradicionale, Abraham kaloi Romën përpara në 11’, Dibala barazoi në 18’, ndërsa drama ndodhi pas pushimit. Verdhekuqtë kryesuan 3-1 me Mkitarianin e Pelegrinin, por pas 70 minutash lojë, ata sikur u lodhën. Lokateli, Kulushevski dhe De Shilio shënuan 3 gola në 7 minuta, ndërsa në fund Juvja pati edhe fat. De Ligt doli me të kuqe në 81’, por portieri Shezni priti penalltinë ndaj Pelegrinit në 83’, ndërsa në fushë nuk ishte më specialisti Veretut.

Ndeshja ishte e fortë dhe në fund fitoi mentaliteti si dhe cilësia e disa emrave, gjëra që ishin në krah të Juves, edhe pse ambienti ishte për Romën. Vendasit e Murinjos këmbëngulën shumë duke pasur 8 goditje nga këndi ndaj vetëm 1 të miqve, por bardhezinjtë fituan me aksione të lojës, në momentin më të mirë të Romës. Juvja mban vendin e pestë me 38 pikë ndaj 41 të Atalantës, por që ka luajtur një ndeshje më pak.

Juvja: Shezni, Kuadrado, De Ligt, Rugani, De Shilio, Mekkeni, Betankur (Artur 64’), Lokateli, Dibala (Kielini 82’), Kean (Morata 64’), Kieza (Kulushevski 32’).

Sfidanti.al