Jo vetëm Paris SG, Reali i Madridit ka gati ofertën 200 milionë euro

Nuk mund të sfumohet kaq lehtë klubi më i madh i futbollit në botë. Pavarësisht se paratë nga Gjiri Persik po “përmbytin” tregun e sportit më popullor në rruzull, sërish gjigandët spanjollë japin shenja se mund ta përballojnë “stuhinë”, ashtu si Noe (apo Nuhu) legjendar. Presidenti Florentino Perez po mendon të bëjë një ofertë të madhe, plot 200 milionë euro, për të marrë një yll të rëndësishëm.

Bëhet fjalë për sulmuesin e Anglisë dhe të Totenhemit, Harri Kejn, i cili po shkëlqen këto kohë, ndoshta njëlloj si Mesi apo Nejmar. Mediat spanjolle dhe ato britanike janë të sigurta se Reali do të veprojë shpejt, ndonëse transferimi (nëse ndodh), do të jetë verën e ardhshme.

Kejn është vetëm 24 vjeç, 1.88 metra shtatlartë dhe tepër i talentuar, ndërsa ka shënuar 44 gola vetëm në Premier Ligë që nga shkurti i vitit 2016. Ai ka realizuar 11 herë këtë sezon në çdo konkurrim dhe pritet të jetë kapiteni i përhershëm i kombëtares së Anglisë.

Gjithsesi, Totenhemi do të kërkojë më shumë nëse do të vendosë të pranojë largimin e lojtarit të vet më të mirë. Sipas “Deili Meilit”, presidenti Daniel Levi, mund të kërkojë shifrën që PSG pagoi për Nejmarin, pra 222 milionë euro.

Sfidanti.al