Ky vend i vogël është vërtet i madh në sport, ndërsa nuk dëshiron aspak ta quajë veten Ballkan. Që nga Luka Donçiç e Pogaçar, Sllovenia ka “pushtuar me sulm” basketbollin dhe çiklizmin botëror, por ka edhe një specialitet tjetër ku shkëlqen, atë të portierëve. Pas Damir Handanoviçit të Interit, është Jan Oblak i Atletikos së Madridit. Veterani 37-vjeçar Handanoviç ia ka lënë “stafetën” pikërisht Oblakut 28-vjeçar që ka ende shumë gjëra për të arritur në karrierë. Që tani ka vendosur rekordin si portieri me më shumë ndeshje zyrtare për Atletikon, 304, duke lënë pas Abel Resinon. Po ashtu ka fituar 4 trofe me bardhekuqtë, si titullin në 2021, Superkupën e Spanjës, Ligën e Europës dhe Superkupën e Europës. Përveç këtyre, ka dalë 5 herë portieri më i mirë i sezonit në Spanjë (trofeu “Rikardo Zamora”), duke barazuar rekordin e legjendave Viktor Valdes e Antoni Ramajets.
Sfidanti.al