Italia nuk gjen fjalë për legjendën e saj të notit, Federika Pelegrinin

Kur ishte 16 vjeç dhe triumfoi për herë të parë në garat e mëdha botërore, komentatorëve u shpëtoi shprehja dhe pasthirrma: Pelegrini, oh vogëlushe! Për 13 vjet me radhë, mediat e planetit, sidomos ato italiane shpenzuan çdo epitet që përmbajnë fjalorët për të përshkruar karrierën e saj prej triumfatoreje. “Thjesht hyjnore”, “e parrëzueshme”, “për fat kemi Feden”, “kemi një Fede të pamasë”, “Fede e çmendur”, “Fede e përjetshme”, “madhështore”, “legjendë”, “e paoksidueshme”, “e pathyeshme”.

Pikërisht sot, ndërsa Federika Pelegrini arriti një nga fitoret e saj më të mëdha, pikërisht në 200 metra stil i lirë ndaj superkampiones amerikane Keti Ledeki (Ledecky) në Botërorin e Budapestit, “La Gazeta delo Sport” pati një himn të fundit për të. Autori ishte pena e njohur Andrea Monti, duke e quajtur “hyjnore, me të njëjtën substancë si Afërdita”, jo më kot krahasimi me Perëndeshën e Detit në Greqinë e Lashtë.

Pelegrini ishte shumë prapa në finale, ndërsa për titullin botëror luftonin Ledeki dhe australiania Ema Mekkion. Ledeki ishte favorite absolute pasi kishte fituar 13 nga 13 finalet e mëdha në çdo Botëror gjatë karrierës së saj. Këtë herë ndoshta ishte pak e lodhur, dhe Pelegrini e mposhti me kohën 1’54”73, gjysmë sekondi më e ngadaltë sesa ajo e Ledekit në gjysmëfinale. S’ka problem. Pelegrini është 29 vjeç, dhe është rekordmene botërore e 200 metrave stil i lirë me 1’51”17. Pas triumfit në Hungari, Fede nxorri nga goja disa fjalë që italianëve nuk do t’i kenë pëlqyer: Këta ishin 200 metrat e mi të fundit! “Eh, nuk do të na lerë të flemë të qetë”, përfundon Andrea Monti, editorialin e tij në “La Gazeta delo Sport” për Federika Pelegrinin.

Sfidanti.al