Champions, statistikat tregojnë rënien e skuadrave angleze

Skuadrat e Premier League po përballen me një realitet zhgënjyes në ndeshjet e para të 1/8 së finales së UEFA Champions League. Pas një faze të parë shumë të mirë, ku pesë nga gjashtë ekipet angleze u kualifikuan drejtpërdrejt në këtë fazë, bilanci i tyre në ndeshjet e para është alarmues: katër humbje dhe dy barazime.

Ndër rezultatet më negative spikat disfata e rëndë e Manchester City-t ndaj Real Madridit, si dhe humbja e thellë e Tottenhamit kundër Atlético Madridit. Edhe Chelsea u mposht bindshëm 5-2 nga kampioni në fuqi Paris Saint-Germain, ndonëse londinezët u përballën me një kundërshtar në formë të shkëlqyer.

Situata duket më shpresëdhënëse për disa ekipe të tjera. Liverpool humbi minimalisht 1-0 në transfertë ndaj Galatasaray-t dhe ende ka mundësi reale për përmbysje në ndeshjen e kthimit. Ndërkohë Arsenali barazoi 1-1 në fushën e Bayer Leverkusenit dhe mbetet favorit për kualifikimin. Edhe Newcastle United mori një barazim ndaj Barcelonës, duke mbajtur gjallë shpresat për një surprizë në ndeshjen e kthimit në Spanjë. Sipas analizave statistikore të publikuara nga Opta dhe të cituara nga BBC, shanset për kualifikim pas ndeshjeve të para janë: 78% për Arsenalin, 54% për Liverpoolin dhe 32% për Newcastle. Ndërkohë, situata është shumë më e vështirë për ekipet e tjera: 9% për Manchester City-t, 7% për Chelsea dhe vetëm 3% për Tottenhamin.

Edhe statistikat e golave janë shqetësuese: skuadrat angleze kanë shënuar vetëm 6 gola dhe kanë pësuar 16, duke regjistruar një bilanc negativ prej -10 në gjashtë ndeshje. Ky kontrast është i madh krahasuar me dominimin e tyre në fazën e parë të kompeticionit, ku pesë ekipet angleze kishin një diferencë totale golash +54.

Megjithëse kampionati anglez vazhdon të dominojë renditjen e koeficientëve të UEFA-s dhe mbetet një nga ligat më të forta në botë, rezultatet e fundit në Evropë kanë ngritur pikëpyetje. Që nga triumfi i Manchester City-t kundër Interit në finalen e vitit 2023, asnjë ekip anglez nuk ka arritur të luajë në finalen e Champions League në dy edicionet pasuese. Një sinjal paralajmërues për një kampionat që investon më shumë se çdo tjetër në merkato, por që jo gjithmonë arrin ta shndërrojë këtë fuqi financiare në sukses në skenën evropiane.

sfidanti.al