Dueli i dy botëve në Gjermani, Bajerni përballë Lajpcigut!

Bajerni pa dyshim i ka harruar ato kohë kur luante në kategorinë e dytë, dhe kur Bekenbauer thoshte se “ne udhëtonim me autobus, ndërsa ata të TSV 1860 Mynihut na shikonin nga qielli ndërsa fluturonin me aeroplan nëpër qytetet e Bundesligës”. Sot është Bajerni që i shikon të tjerët nga lart dhe aeroplanët e tij fluturojnë larg, shumë më larg se kufijtë e kampionatit të Gjermanisë. Së fundi, bavarezëve i doli një rival i ri, Rasenball Lajpcigu, i cili nuk mund të quhet klub i varfër, por gjithsesi është një klub ende i vogël dhe jo global.

Pra, janë dy botë të ndryshme, të cilat këto ditë patën një konflikt përtej atij që kishin në Bundesligë gjatë sezonit të kaluar. Trajneri i Lajpcigut, Ralf Hazenhytl, lëshoi nga goja kritika për Bajernin dhe Dortmundin që zhvillojnë turneun në Azi, duke i lodhur lojtarët, ndërsa ai është i lumtur që mund të punojë siç duhet dhe qetësisht në kompleksin stërvitor në një qendër klimaterike në Austri.

Këto fjalë nuk i pëlqyen, shefit ekzekutiv të Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige, i cili u kundërpërgjigj. “Fjalët e tij janë cinike dhe jo shumë të bazuara, – tha “Kalle”, – klubet që shkuan në Azi dhe Amerikë kanë bërë diçka për marketingun televiziv të Bundesligës, diçka që nuk më duket se e bëjnë klubet që stërviten në Austri apo Zvicër. Në fund të fundit, janë këto fitime që paguajnë rrogat e lojtarëve dhe trajnerëve të Bundesligës”.

Sfidanti.al