Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, dhe shpresat ishin të mëdha. Italia arriti të kualifikonte tre skuadra në tre finalet e kupave kontinentale, veçse asgjë e mirë nuk ndodhi. Interi, Roma dhe Fiorentina dështuan përkatësisht në Champions, në Ligën e Europës dhe në Ligën e Konferencës, që u fituan nga Mançester Siti, Sevilja dhe Uest Hemi. Një goditje e rëndë, e vështirë për t’u kapërcyer, ndonëse realiteti është ky dhe murit nuk i bihet me kokë. Sidoqoftë, në Apenine ka optimizëm për atë që u arrit dhe për çfarë mund të ndodhë më tej. Të përditshmet sportive, pasi lavdërojnë ekipet e tyre, shkruajnë për fitimet e mëdha në Europë, në rastin e Interit 150 milionë gjithsej këtë sezon, si dhe për projektet e së ardhmes.
Vlerësimi është se sidomos Interi dhe Fiorentina luajtën si të barabartë me kundërshtarët e finaleve, e madje “vjollcët” ishin edhe më lart se Uest Hemi pavarësisht humbjes 1-2, siç u shpreh trajneri Italiano. Shpresa është edhe nga fakti se Seria A është shumë më poshtë nga ana financiare sesa Premier Liga angleze, por gjithashtu edhe më poshtë se La Liga e Spanjës. Gjithsesi, një shkollë futbolli si kjo italiane tregoi se mund të arrihet suksesi edhe kështu. Në të kaluarën, tepër rrallë ka ndodhur që një shtet të kualifikojë 3 ekipe në 3 finale europiane, dhe këtë e bëri Spanja në 1986, duke humbur dy pikërisht me Barcelonën në Kupën e Kampionëve dhe me Atletikon e Madridit në Kupën e Kupave, edhe pse Reali fitoi Kupën UEFA.
Sfidanti.al