Thuhet se argjentinasi i Paris SG mbeti i habitur dhe i zemëruar që nuk u informua nga drejtuesit në “Old Traford” se ata kishin zgjedhur holandezin e Ajaksit. Maurisio Poçetino kishte qenë një nga dy kandidatët kryesor për stolin e Mançester Junajtidit, madje kishte pasur bisedime të përfaqësuesve të tij me klubin. Në fund nuk u bë gjë dhe në “Old Traford” vendosën për Erik Ten Hagun, madje edhe kundër dëshirës së shumicës së lojtarëve (sipas mediave angleze). Çfarë ndodhi këta muaj? Besohet se Ten Hagu u bëri përshtypje drejtuesve të “Djajve të kuq” për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe për kritikat për organizimin e klubit. Nga ana tjetër, Poçetino theksoi shpenzimet që duheshin për të rindërtuar ekipin, duke larguar e marrë yje. Argjentinasi mbetet i lidhur me kontratë me PSG-në, që kërkoi deri në 12 milionë euro për ta lënë të lirë. As francezët dhe as Junajtidi nuk e nisën lojën të parët, nga frika se mos ndihmonin palën tjetër, dhe po ashtu Poçetino nuk deshi të trokiste i pari, po për të njëjtën arsye. Të gjitha këto ndihmuan Ten Hagun, por tani duhet të shohim sesi do të jetë “mbretërimi holandez” në “Old Traford”.
Sfidanti.al