Epoka nuk është sak e Romës, por aty afër. Nëse nga Seria A do të hiqnim Juventusin, kush do të mbetej në krye të tabelës? Pikërisht skuadra kryeqytetase e Luçiano Spaletit. Në një mision ende të vështirë dhe thuajse të pamundur për të kapur majën, verdhekuqtë gjithsesi i dhanë një kënaqësi të madhe dhe plotësisht të merituar tifozëve të tyre, me një fitore jo nga ato të zakonshmet.
Nuk është pak të triumfosh 3-1 në stadiumin më të bukur të Italisë, “San Siro”, ndaj njërës prej tri të mëdhave, Interit. Raxha Naingolan veshi këtë herë “uniformën” e Edin Xhekos duke qenë ai golshënuesi. Belgu fillimisht shënoi në 12’, pastaj dyfishoi shifrat në 56’, ndërsa Mauro Ikardi nuk mundi të bënte tjetër, thjesht të përkëdhelte krenarinë e tij personale me rrjetën e minutës së 81-të. Kur pritej “hë se po barazon Interi”, goditi Roma për herë të tretë me Diego Perotin.
Një skuadër shumë simpatike nuk po ndjen edhe aq ngarkesën e Ligës së Europës (ku eleminoi Vijarrealin e fortë), ndërsa ndodhet në vendin e dytë të Serisë A me 59 pikë, ndaj 66 të juventinëve. Shtatë pikë diferencë janë shumë, ndonëse përballja direkte do të jetë në stadiumin “Olimpiko” të kryeqytetit, pra ku i dihet, mrekullia edhe mund të ndodhë.
Sfidanti.al