Reali barazon një rekord, shpëton “lëkurën” dhe ruan kryesimin

Shënoi për të 44-ën ndeshje radhazi dhe barazoi rekordin e mbajtur nga Barcelona, ndërsa do të përpiqet ta thyejë javën që vjen. Ishte në buzë të humbjes, por ia doli të përmbyste rezultatin, edhe pse u duk se me ndihmën e gjyqtarit. Shpëtoi “lëkurën” dhe ruajti kryesimin e ligës spanjolle me fitoren 3-2 në fushën e Vijarrealit. Kjo ishte mbrëmja e Realit të Madridit, skuadrës shpesh me dy fytyra, që ende mbetet favorite për kampionatin. Ka 55 pikë ndaj 54 të Barcelonës, ndërsa ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur, atë në fushën e Seltës së Vigos.

Gjithsesi, dridhjet ishin të forta në fushën e “nëndetëses”, pasi Trigeros në minutën e 50-të dhe Bakambu në të 56-ën i dhanë vendasve epërsinë 2-0. Ronaldo goditi shtyllën, pastaj Bejl shkurtoi diferencën në 64’, dhe në 72’ arbitri dha penallti. Specialisti i gazetës “Marka”, e njohur si pro Madridit, gjykoi se nuk ishte penallti, por vendimi u morn ë fushë dhe Ronaldo shënoi. Shtatë minuta para fundit Morata shënoi golin e tretë, ndërsa pikërisht në përfundim, Vijarreal kërkoi një 11-metërsh por nuk iu dha.

Sfidanti.al