Interi i përgjigjet Milanit dhe i tregon Murinjos se nuk fitohet pa ekip!

Është padyshim ekipi favorit për ta fituar titullin edhe këtë sezon, ndonëse nuk ka kaluar ende gjysma e sezonit. Triumfi 3-0 në fushën e Romës ishte mesazhi i duhur i ekipit të trajnerit Simone Inzagi, duke i shkaktuar një hidhërim të madh Zhoze Murinjos. Tekniku portugez, i famshëm për titujt e tij të shumtë, besohet se e kuptoi edhe më mirë se nuk mund të jesh fitues kur nuk ke skuadër të fortë, siç u ka ndodhur shumë kolegëve të tij që ai i ka tallur.

Hakan Çalhanoglu, Edin Xheko dhe Denzel Damfris ishin autorët e golave në “Olimpikon” që u ndez nga kthimi i Françesko Totit, por u shua nga spektakli zikaltër. Interi ka 37 pikë në renditje, me golaverazhin 39-15, por sidomos me ndërgjegjësimin se është skuadra me potencialin më të madh në Serinë A, dhe më shumë e përmirësuar pas fillimit të vështirë.

Suksesi në Romë ishte edhe një përgjigje për Milanin, ndonëse kuqezinjtë mbeten në krye të renditjes pas fitores 2-0 ndaj Salernitanës në “San Siro”. Javë shumë e mirë për të besuarit e trajnerit Stefano Pioli që në mesjavë fituan 3-0 në stadiumin e Xhenoas.

Sfidanti.al