Premier Liga, Siti e Liverpuli “përmbysin” Çelsin

Në të vërtetë, përmbysjen e nisi vetë ekipi londinez me humbjen e papritur 2-3 në fushën e Uest Hemit, edhe pse nuk duhet t’i vijë shumë keq sepse në atë stadium u mund edhe Liverpuli. Gjithsesi, disfata e të besuarve të trajnerit Tomas Tuhel u dha mundësi rivalëve që t’i kapërcenin në krye të renditjes së Premier Ligës. Çelsi kryesoi në derbi fillimisht me golin e Tiago Silvës dhe pastaj me atë të Mejzën Mauntit, që po tregohet tepër i vlefshëm për Tuhelin. Manyel Lanzini barazoi fillimisht me penallti, ndërsa në 56’ rezultati u bë 2-2 me golin e Bouenit. Tre minuta para fundit, Artur Masuaku shënoi golin e fitores për “çekiçët” e trajnerit Dejvid Mojes që janë në vend të katërt me 27 pikë, 6 pikë larg bluve.

Në krye të Premier Ligës ka dalë Mançester Siti, ekipi kampion në fuqi që arriti një fitore të merituar 3-1 në fushën e Uatfordit. Rahim Stërling, e pastaj dy herë Bernardo Silva i dhanë suksesin “qytetarëve” të Pep Guardiolës, ndërsa Kuço Hernandez shënoi golin e nderit për vendasit në 74’. Liverpuli ndërkaq arriti një fitore dramatike 1-0 në fushën e Uolvesit. Në “Molino” u desh goli i zëvendësuesit Divok Origi në minutën e 5-të shtesë për fitoren e të kuqve të trajnerit Jurgen Klop. Liverpuli pati epërsi absolute me 67 për qind mbajtje topi, 17 gjuajtje drejt portës e 5 kuadrat, ndërsa vendasit patën 3 gjuajtje gjithsej dhe 1 në kuadrat, me kornet 8-2 për miqtë. Siti ka 35 pikë ndaj 34 të Liverpulit dhe 33 të Çelsit.

Sfidanti.al