Në fund të fundit rezultati ishte logjik. Bajerni u tregua më superior në “Signal Iduna Park” pavarësisht se Dortmundi e vuri në një provë të vështirë. Skuadra bavareze, kampione në fuqi e Gjermanisë, triumfoi 3-2 në një ambient armiqësor edhe pse u ndodh në humbje. Julian Brant shënoi që në fillim për vendasit, por Bajerni kishte Robert Levandovskin që nuk di të ndalet. Polaku shënoi që në 9’ dhe pastaj në 77’ për fitoren me penallti. Edhe pse Erling Halandi barazoi pas golit të Kingsli Komanit, kjo nuk mjaftoi. Bajerni kryeson Bundesligën me 34 pikë ndaj 30 të Dortmundit, ndërsa Leverkuseni është në vend të tretë me 27 pikë. Levandovski ka 293 gola në kampionatin gjerman, duke iu afruar shifrës magjike 300, të cilën e ka kaluar vetëm Gerd Myleri. Në total, polaku ka 321 gola në 350 ndeshje për Bajernin, dhe 513 gola në 719 ndeshje për klubet, ndërsa bashkë me ata me kombëtaren e Polonisë arrin në 589 gola, shumë pranë shifrës 600.
Sfidanti.al