“Pole” i Hamiltonit, përplasje e Verstapenit, por gara arabe mbetet e hapur!

Kur Formula 1iu drejtua pistës së re në Xheda, përkufizimi ishte që “Verstapeni ka 8 pikë epërsi, por Hamiltoni ka makinë më të mirë”. Pas provave zyrtare të Çmimit të Madh të Arabisë Saudite, kjo formulë mund të ndryshojë. Edhe pse Hamilton i fitoi provat dhe do të niset nga vendi i parë, edhe pse i dyti doli piloti tjetër i Mercedesit, Valteri Botas, sërish përshtypja është që makina Red Bull e Maks Verstapenit është në formë shumë të mirë. Piloti holandez ishte pranë vendit të parë në xhiron e fundit kur vendosi kohët rekord në të gjitha pjesët përpara fundit, veçse në kthesën e 27-të frenoi vonë dhe makina i doli nga kontrolli duke u përplasur me bordurat anësore të pistës. Ai dëmtoi pjesën anësore të Red Bullit, ndërsa frika është se mund të ketë dëmtuar kutinë e ndërrimit të marsheve. Nëse do të jetë kështu, ai mund të zbritet 5 pozicione më poshtë, dhe ta nisë garën nga vendi i 8-të.

Hamilton dha kohën 1’57”511, Botasi arriti me 1’57”622, ndërsa Verstapeni e ndaloi kronometrin në 1’57”653, pra vetëm 1 e dhjeta e sekondës ndau tre vendet e para. Në vend të katërt Sharl Lëklerk me Ferrarin, ndërsa Sergio Perez me Red Bullin tjetër ishte i pesti. Kjo do të thotë se Mercedesi do të niset në dy vendet e para, një favor i madh për Hamiltonin. Kampioni i botës ka nevojë të fitojë dy garat për të mbrojtur titullin dhe për të vendosur rekordin historik të 8 titujve në karrierë, një më shumë sesa Mikael Shumaheri.

Sfidanti.al