Rivalët ia bënë punën më të lehtë, por meritën e kanë vetë ata. Reali i Madridit ka krijuar një shkëputje në krye të ligës spanjolle të futbollit pas fitores në fushën e Sociedadit, duke treguar se nuk mund të ndalet nga askush. E kombinuar kjo fitore me humbjet e Barcelonës dhe të Atletikos së Madridit, madje brenda fushave të tyre, momenti bëhet edhe më i veçantë për të besuarit e trajnerit Karlo Ançeloti. Madrilenët kanë 39 pikë ndaj 31 të Seviljes që ka një ndeshje më shumë për të luajtur. Të bardhët treguan superioritet ndaj një rivali që pretendon titullin, ndërsa tifozët mund të kenë shpresa se këtë sezon mund të fitohet La Liga, pse jo të pretendohet Championsi.
Në këtë ndeshje, për “merengesit” shënuan sulmuesi serb, Luka Joviç, dhe sulmuesi i zakonshëm, Vinicius. Për Atletikon ishte e rëndë humbja 1-2 në Madrid ndaj Majorkës kur u duk se e kishte ndeshjen në dorë, ndërsa edhe më e rëndë ishte disfata e Barcelonës në “Kamp Nou” ndaj Betisit pas golit të Huanmit në 79’. Ekipi i Simeones kryesonte 1-0 që nga 58’ me gol të Kunjës, por Ruso në 80’ dhe Kubo në 91’ përmbysën gjithçka për Majorkën. Atletiko ka 29 pikë, me një ndeshje më pak se Reali, ndërsa katalanasit janë “blozë” me vetëm 23 pikë duke rrezikuar seriozisht kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al