Nuk ka kaluar shumë kohë kur ishte i pezulluar për dy ndeshje, pasi sulmoi një arbitër. Antonio Konte është pikërisht i tillë, i ashpër dhe impulsiv, nga ata që nuk e përmbajnë veten në “betejë e sipër”, dhe këtë herë mund të marrë një tjetër ndëshkim. Konflikti në stadiumin “Alianc” të Torinos, në pushim të sfidës Juve-Inter, ishte i ashpër dhe me gjeste e fjalë ofenduese, ndonëse për një klimë si ajo e futbollit duhet të quhen normalitet.
Tashmë, trajneri zikaltër pret vendimin e Komisionit të Disiplinës, që mund ta dënojë për diçka të faktuar nga kamerat televizive dhe fotoaparatet, pra që ngriti dy herë gishtin e mesit ndaj stolit juventin. Jo se pala tjetër ishte ëngjëllore. Interi akuzon se trajneri u provokua nga Bonuçi gjatë pjesës së parë, madje edhe nga drejtuesit e klubit vendas të cilët e ofenduan. Interi shton se kjo është në vazhdim të qendrimeve arrogante të sezonit të kaluar dhe që, sipas zikaltërve, shkon përtej çështjeve sportive. Të mos harrojmë se Konte u largua me konflikt nga Juventusi që kishte president pikërisht Andrea Anjelin.
Nga Milano thuhet se Anjeli ka lëshuar fjalë të tilla nga goja si “ko..”, “palaço”, “mbyll gojë e puno”, madje këtë e ka përsëritur disa herë në fund të ndeshjes (ka regjistrime audio), ndërsa Konte i është përgjigjur duke i thënë: “Nëse ke guxim ma thuaj në sy, nëse ke gjë për të thënë, thuajse në sy”. Pritet që gjykata sportive të marrë vendim për Konten dhe Anjelin, ndërsa Interi i teknikut puljez është pak a shumë si ai, pra i vrullshëm dhe me nerva. Ndodhi në kupë ndaj Milanit, kur Lukaku u përplas me Ibrahimoviçin dhe mund të ndodhë përsëri.
Sfidanti.al