Inter-Juventus, më shumë se një sfidë italiane futbolli

Klubet janë të vjetër dhe i përkasin dy qyteteve që kanë qenë gjithnjë “shemrat” e Italisë. Dakord, është Roma kryeqyteti, por Torino e Milano kanë rivalizuar njëra-tjetrën se kush do të ishte praktikisht numri 1 në Itali, në industri, ekonomi dhe sport. Nëse në të tjerat, Milano shpesh ka qenë mbi Torinon, në futboll Juventusi nuk ka pasur shumë rivalë.

Gjithsesi, “Derbi i Italisë” është Inter-Juventus (ashtu si Milan-Juventus) dhe këtë fundjavë do të luhet për Serinë A në “San Siro”. Zikaltërit do të kenë mundësi të realizojnë një hakmarrje ndaj bardhezinjve, për t’i bërë nder Napolit, por sidomos duhet të luajnë për vete, që të shkojnë në Champions.

Që nga viti 1909, e deri më sot, sfidat kanë qenë të shumta, po aq të shumta edhe polemikat dhe rivaliteti mes familjeve Anjeli e Morati. Milanezët kanë ndërruar më shumë duar sesa torinezët, ndërsa mbahet mend sidomos data 27 prill 1998, kur Ronaldo u rrëzua në zonë në kontakt me Iulianon, por arbitri Çekarini nuk dha penallti. Mbahet mend edhe 5 maji 2002, kur Interi humbi kampionatin pasi humbi 2-4 në fushën e Lacios në javën e fundit, me Juven që u shpall kampione pas fitores 2-0 në fushën e Udinezes. Mbahet mend edhe “Kalçopoli”, me Juven që i hoqën 2 tituj dhe e zbritën në Serinë B.

Batutat nuk kanë munguar, por mbi të gjitha mbahet mend ajo e interistit, avokatit Pepino Prisko (në foto). “Juventus është një sëmundje që njerëzit e marrin që në vogëli, – u shpreh ai, – kur i jap dorën një milanisti, e laj, ndërsa kur ia jap një juventini, numëroj gishtat”.

Sfidanti.al