Planet qenkan thurur prej vitesh, ndërsa lajmi u mor vesh vetëm tani. Federata Angleze e Futbollit (FA) paska pasur kohë me bisedimet me pronarin e Fulhamit, Shahid Han, por as shifra prej gati 1 miliardë paund stërlinash nuk ka mjaftuar për t’iu shmangur skandalit. Anglia është tronditur nga mundësia që ikona e këtij sporti të ndërrojë duar dhe që ekipi kombëtar të mos luajë më në këtë stadium.
Figura të rëndësishme si Sër Dejv Riçardsi, dhe shumë të tjerë, pjesë e këshillit të FA-së prej 127 njerëzish, kanë bërë thirrje për shkarkimin e shefit ekzekutiv Martin Glen dhe të presidentit Greg Klark, si dhe pjesën tjetër të bordit. Me siguri, drejtuesit do të duhet të përballojnë një mocion mosbesimi.
“Është skandaloze, – tha Sër Dejvi, ish-president i Premier Ligës, – u deshën 10 vjet për ta ndërtuar stadiumin nga e para, ndërsa këta njerëz që nuk e dinë se çfarë është futbolli, tani duan që ta shesin”. Mbledhja e këshillit është lënë për në 29 maj dhe pritet të ketë tension të madh.
Sfidanti.al