I mundur dhe i habitur Niklas Sule: Real më të keq nuk kam parë?

Bajerni i Mynihut me siguri që nuk mund të jetë i kënaqur me rezultatin (1-2) të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Champions-it me Realin e Madridit në “Alianc Arena”, ndërkohë që edhe trajneri i klubit bavarez, Jup Hajnkes, nuk mund të jetë shumë optimist, kur kihen parasysh dëmtimet e lojtarëve të tij në prag të ndeshjes së kthimit në “Santiago Bernabe”. Mbas dëmtimit të Alabës, Vidalit dhe Komanit që dihej se nuk do të luanin që para ndeshjes, tani, ai mbeti edhe pa Arien Robenin dhe Zherom Boatengun që i kanë shumë të vegjël shanset që të luajnë në ndeshjen revansh me Realin në “Bernabe”.

Situata e krijuar para ndeshjes së parë bëri që Hajnkesi t’i jepte shans që të luante rezervistit Niklas Sule që duhet të thuhet se e kreu me korrektësi detyrën e tij. Sidoqoftë, stoperi i Bajernit më shumë u dallua, për shkak të deklaratës që ai bëri mbas ndeshjes, duke aluduar hapur se ai kurrë nuk kishte parë Real me të dobët në fushë:

“Shumë rrallë kam parë një Real kaq të dobët si ky në Mynih, ndoshta, asnjëherë. Ne patëm mjaft shanse, por nuk i shfrytëzuam. Po të kishim fituar edhe 5-2, askush nuk kishte pse të habitej. Sidoqoftë, tani, ne duhet të korrigjohemi në Madrid”, i tha Sule gazetës “Kiker”.

Sfidanti.al