Ikardi “autogol” ..do të operohet vetëm që të mos luajë me Interin?

“Korriere delo Sport” shkruan se futbollisti argjentinas po mendohet që të operojë gjurin e tij të djathtë. Në fakt, qëkur atij iu hoq shiriti i kapitenit, Mauro Ikardi nisi të ankohej se ai ka dhimbje në gju dhe se ka nevojë për trajtim mjekësor. Por, tek Interi ka njerëz që thonë se ai po e sajon dhimbjen, sepse testet mjekësore të tanishme nuk janë shumë ndryshe nga ato që Ikardi ka bërë në fillim të sezonit. Vetë ai thotë se ka luajtur me injeksione në gju dhe se tani nuk ka ndërmend ta bëjë më këtë.
Ky sulmues argjentinas, në fakt, e ka marrë tanimë veten dhe është kthyer në ekip, por, sidoqoftë, ai do ta vazhdojë trajtimin mjekësor deri më 7 mars, kur do të bëhen testet e reja mjekësore.
Dhe, nëse problemet nuk do të tejkalohen, atëherë ka mundësi që ai të kalojë “nën thikë” që do të thotë fund të sezonit dhe ndoshta edhe fund të karrierës tek Interi.
Gazeta e mësipërme italiane vë në dukje se “neroaxurët” po bëjnë plane për një “jetë” të ardhshme pa Ikardin dhe se i kanë hedhur sytë te Romelu Lukaku i Junajtidit dhe Duvan Zapata i Atalantës, te të cilët shohin zëvendësues potencialë të Ikardit.
Sfidanti.al