Një sondazh në Francë kurorëzoi sulmuesin afrikan përpara atij suedez. Anketa ishte zyrtare dhe Didie Drogba mori 51 për qind të rreth 40 000 votave në faqen e Ligës së Parë franceze, në finalen ndaj Zllatan Ibrahimoviçit. Nëse shikon statistikat dhe karrierën e dy yjeve të shquar në kampionatin francez, habitesh sesi futbollisti i Bregut të Fildishtë u zgjodh ndaj atij të Suedisë!
Ibra shënoi 156 gola në 180 ndeshje në 4 sezone. Në total ka gati 500 gola për klubet në gati 800 ndeshje, si dhe 62 gola në 116 ndeshje për Suedinë. Ai, po ashtu, fitoi 4 herë titullin kampion me Paris SG, në 4 vite gjithsej. Krejt ndryshe, Drogba nuk fitoi asnjë titull në 3 sezone me Gingompin e Marsejën, dhe shkëlqimin e vërtetë e pati tek Çelsi në Angli. Ai realizoi 71 gola në Francë, nga të cilët 56 në Ligën e Parë.
Si ka mundësi, pra, Ibra u snobua? Arsyeja kryesore duhet të jetë fanela të cilën mbajti veshur, ajo e Paris SG, që cilësohet si klubi më i urryer në Francë. E vërtetë që PSG ka 22 për qind të tifozëve në vend, ndaj 20 për qind të Olimpikut të Marsejës dhe 14 për qind të Lionit, por po ashtu është e vërtetë që antipatia ndaj tij është e tillë që, të gjithë ata që nuk janë tifozë parizienë, janë kundër. Kjo është e vërtetuar me sondazhe. PSG është klub arrogant, siç thuhet në Francë, ndërsa parizienët e cilësojnë veten më lart se qytetarët e tjerë franceze. Po ashtu, Parisi u bë i fuqishëm me qindra milionë euro të sheikëve të Lindjes së Mesme, ndërsa klubet e tjera patën të ardhura më modeste. Së fundmi, Marseja është i vetmi klub francez që ka fituar Championsin dhe Drogba luajti pikërisht me këtë fanelë.
Sfidanti.al